e enjte, 23 gusht 2012

Viti i ri shkollor në Kosovë më ....


Prishtinë, 23 gusht - Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të fillojë suksesshëm nga kjo datë. Mbi një mijë objekte shkollore në mbarë vendin janë të gatshme për procesin mësimor. 

Të gjitha shkollat e vendit do të hapin dyert më 3 shtator për të pritur nxënësit, të cilët do të vijojnë mësimin fillor dhe të mesëm. Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, tha për Radio Kosovën, se janë bërë të gjitha përgatitjet, për të filluar mbarë ky vit i ri shkollor. 

Ai tha se gjatë muajit shtator do të përurohen objekte të reja shkollore, të cilat do të jenë të gatshme për të pritur nxënësit për vitin shkollor 2012-2013. 

“Për 1 mijë e 7 shkolla zilja do të cingëroj dhe do t’i gjejë të përgatitura. Shpresojmë që 5 deri 6 shkolla do të jenë gjatë shtatorit të gatshme për t’u përuruar për vogëlushët tanë. Megjithatë janë në vijim edhe 36 objekte të tjera, të cilat pritet që për vitet e ardhshme të jenë të gatshme”, tha ai.

Gjoshi tha se Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 7 milion euro për shpërndarjen e librave falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Ai tha se tashmë librat janë shpërndarë me kohë në të gjitha shkollat e vendit. 

“Tekstet shkollore mbi 95 për qind janë shpërndarë nga Libri Shkollor dhe nga kompania Dukagjini. Tekstet tani shpërndahen shkollë më shkollë dhe jo si më parë vetëm në drejtoritë komunale”, theksoi Gjoshi.

Ndërkohë, për vitin shkollor 2012-2013 janë regjistruar në klasë të parë mbi 29 mijë nxënës, të cilët do ta fillojnë mësimin me Abetaren e unifikuar.