e shtunë, 12 janar 2013

Al Jazeera bashkon Messin dhe Ronaldon

Messi dhe Ronaldo. Dy kundërshtarë dhe rivalë të betuar në fushën e lojës, dualizëm që po zgjat prej disa vitesh. Dy shkolla të ndryshme futbolli që po ndajnë në qëndrime një botë të tërë, ata që adhurojnë portugezin urrejnë argjentinasin dhe ata që thurin lavde për talentin e djaloshit nga Rosario, nuk duan të dëgjojnë të flitet për numrin 7 të Realit. Nuk i kemi parë të komunikojnë, madje shpesh në fushë kanë evituar njëri-tjetrin, por, për t’i afruar sa më shumë dhe për ta bërë më të pranueshme El Clasicon si një sfidë që mund të përballojë edhe dy yje në të njëjtën fushë, platforma televizive arabe, Al Jazeera i bashkon për herë të parë të dy në një spot promovues për ndeshjen e fillimit të Marsit. Reklama është ideuar në një shkëmbim interaktiv mesazhesh mes dy lojtarëve që nis me frazën e argjentinasit: Mezi po pres El Clasicon, ndërsa portugezi i përgjigjet: Edhe unë. Më pëlqen t’i shënoj skuadrës tënde, ndërsa Messi reagon portugalisht: Deri atëherë do të kem thyer edhe më shumë rekorde. Një ide gjeniale për të përjetësuar një sfidë që brenda saj ka një tjetër supersfidë, mes atyre që po dominojnë futbollin modern me qëndër në gadishullin Iberik. El Clasico po troket, SuperSport ju lë takim në muajin Mars.

Real Madrid, tifozët duan rinovimin e Ronaldos

Kristiano Ronaldo mbetet futbollisti më i dashur për tifozët madrilenë, të cilët e konsiderojnë prioritet rinovimin e kontratës së tij, që skadon në verë të 2015-ës. Në një sondazh të organizuar nga e përditshmja spanjolle AS, 80% e lexuesve që kanë marrë pjesë në votim, ose më saktë 57 178, ishin pro idesë që drejtuesit e Realit duhet t’ia rinovojnë sa më shpejt kontratën Ronaldos, për shmangur cdo interesim të mundshëm të ekipeve të mëdha evropiane, si Paris Sent Zhermen, që kanë resurset e nevojshme ekonomike për të blerë 27-vjecarin.
Kristiano Ronaldo, i cili shënoi një dygolësh ndaj Real Sociedadit më 6 janar në javën e 18 të Primera Divizion si dhe një tregolësh në Kupën e Mbretit ndaj Selta Vigos, është futbollisti me mesataren më të lartë të golave për ndeshje në historinë e klubit madrilen. Në sezonin e tij të katërt në Madrid Ronaldo ka shënuar 174 gola në 172 takime, me një mesatare 1.01 gola për ndeshje.

Lucas Moura i lumtur për debutimin me PSG

Lucas Moura u shpreh i kënaqur me debutim e tij të parë me Paris Saint German në ndeshjen kundër Ajaccio. Braziliani tha se forma e tij do të përmirësohet edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme, duke u përshtatur më shumë me stilin e lojës.
20-vjeçari shtoi se i vetmi problem për të, është gjuha, por që është i gatshëm ta mësoj. Nga ana tjetër Jeremy Menez ka “nxehur” situatën në klub, pasi 25-vjeçari refuzoi të hynte në fushën e lojës për të zëvendësuar Lucas në minutat e fundit në sfidën me Ajaccio, nga ku më pas Carlo Ancelotti aktivizoi Kevin Gameiron.