e martë, 14 gusht 2012

Busta Rhymes anulon koncertin në Prishtinë

Rep këngëtari amerikan Busta Rhymes ka zhgënjyer edhe njëherë fansat e tij në Kosovë. Ai ka vazhduar “avazin e vjetër”, duke anuluar edhe një herë performancën në kryeqytet. Në kuadër të turneut evropian, Rhymes kishte paralajmëruar koncertin e dytë në Kosovë, më 19 të këtij muaji. Por, reperi amerikan është bërë pishman, duke anuluar koncertet. “Lojë” të ngjashme Rhymes kishte bërë edhe vitin e kaluar, megjithëse pas disa njoftimeve për anulim më në fund kishte mbajtur koncertin. Koncerti i tij i parë në Kosovë ishte mbajtur më 26 prill të vitit të kaluar në sallën “1 Tetori”. Lajmin për anulimin e koncertit të së dielës në Kosovë e ka konfirmuar agjencia zvicerane “MOS Music Entertainment”, përmes një komunikate.
“Si promoter i turneut ne me shumë keqardhje njoftojmë se Busta Rhymes ka anuluar turneun evropian me koncertet në Zvicër, Finlandë dhe Gjermani. Për shkak të një rasti familjar, artisti nuk ka qenë në gjendje që t’i përmbushë marrëveshjet me promotorët”, thuhet në këtë komunikatë. “Koncertet e planifikuara të mbahen janë përtej kontrollit tonë dhe kemi qenë mjaft të interesuar që t’i realizojmë ato koncerte me shkallën më të lartë të profesionalizmit. Artisti me keqardhje ka anuluar turneun dhe shpreson që të kthehet në Europë në fund të vitit, ose vitin e ardhshëm”, vazhdon më tej komunikata.