e martë, 4 shtator 2012

Noizy: Me femrat që jam përfolur, bëj flirte (Interviste)

“Të dashurën e vërtetë e mbaj të fshehtë”
Shumë histori aventurash me femra, që i ka përjetësuar edhe në këngët e tij. Rigels Jaku (Noizy), reperi që po kalon momentet më të mira të tij në muzikë, pothuaj çdo javë përflitet në faqet e shtypit rozë për lidhje të njëpasnjëshme me vajza të ndryshme. Duke e konsideruar veten një mashkull pak i çuditshëm për të krijuar lehtë një lidhje serioze, ai tregon se jeta e tij e momentit është plot aventura me femrat, por ekziston dhe një femër në zemrën e tij që ai nuk dëshiron ta bëjë publike. Ish-boksieri i “streefight” në Londër, Rigels Jaku (Noizy), zbulon anën e tij të ndjeshme.
Noizy, dihet që ky është sezon i vërtetë pushimesh, ndërsa për këngëtarët është periudhë koncertesh. Ti si po i kalon këto ditë të nxehta?
Unë po i kaloj vetëm me udhëtime, sa në një vend në tjetrin, sepse kam pasur një axhendë të ngjeshur koncertesh. Kam pushuar vetëm 4 ditë këta dy muaj, pasi vetëm kam kënduar në koncerte që kanë qenë vërtet të shumta.
Atëherë kur ke menduar të pushosh, dhe me kë?
Në fakt kam menduar t’i shtyj pushimet për në vjeshtë me çunat e grupit OTR, ndërsa kemi planifikuar të shkojmë në Dubai ose Kroaci.
Po thua që do pushosh me djemtë e grupit, ndërkohë që je komentuar pa fund për lidhje me vajza të ndryshme. Nuk mund të pushosh me ndonjërën prej tyre?
Ku ka zë nuk është pa gjë… Po sa për pushimet, s’kam ndërmend të pushoj me asnjërën prej tyre, pasi në këtë rast preferoj të pushoj me shoqërinë.
Për aq shumë femra je komentuar sa fansat pyesin; Pse të gjitha i ka Noizy?! Si do t’i konsideroje lidhjet e tua me femrat, serioze apo thjesht aventura?
(qesh) Aventura pa fund.
Ndodh të biesh në dashuri në njohje me to, në këto momente që po flasim kujt do ia dhuroje disa ditë pushime speciale?
Vetes sime, do të pushoja i vetmuar.
Edhe pse përflitesh për shumë lidhje, asnjë prej tyre nuk mund ta konsiderosh të dashur?
Nga vajzat që kanë shkruar gazetat, ende jo.
Është e vështirë për ty të biesh në dashuri me jetën që bën?
Po është e vështirë, por deri në momentin që gjen personin e duhur, ama.
Ti e ke gjetur?
Edhe mund ta kem gjetur.
Dhe cila është ajo?
Në fakt, ajo femër do të jetë personi i fundit që do ta bëj publik, kur të ndihem vërtet i sigurt me të.
Pse preferon ta mbash sekret?
Normal që dua ta mbaj sekret, sepse më përket vetëm mua. Jam fanatik për gjërat e mia.
Mund të konsiderohet kjo një sakrificë për një person publik? E çfarë sakrificash je në gjendje të bësh tjetër për dashurinë?
Të paimagjinueshme janë sakrificat që mund të bëj për këdo që mund t’i dëgjojë, sepse di ta veçoj mirë dashurinë e vërtetë nga aventura.
Mund ta tregosh një sakrificë të tillë?
Jo, pasi janë shumë, po shumë personale.