e enjte, 6 shtator 2012

Kosova me kod telefonik kombëtar +355

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me shumicë votash (47 për, 9 kundër dhe 2 abstenim) të enjten miratuan Rezolutën e paraqitur nga, deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta. Sipas Rezolutës së miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale, që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355.
Me këtë hap Kosova dhe qytetarët e saj do të përfitojnë shumë si në aspektin politik, ekonomik, po ashtu edhe në aspektin e sigurisë.
Deputeti Kuleta ka thënë gjatë prezantimit të rezolutës në Kuvend se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Duke qenë se lëvizjet e shumta të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas kanë bërë që intensiteti i komunikimit midis tyre përmes rrjetit telefonik të rritet, ndërkohë që kostoja e këtij komunikimi, për shkak të kodeve të ndryshme, është shumë e lartë”, theksohet ndër të tjera në rezolutë.
Po ashtu theksohet se Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355