Ligjvënësit me shumicë votash kanë miratuar Projektrezolutën lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë. Me këtë rezolutë parashihet që Kosova të shfrytëzoj kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe jo atë të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386.
Por burime të Kosovapress, brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë bërë të ditur se kjo ministri ka kërkuar një gjë të tillë nga organet kompetente shqiptare, por që nuk kanë gjetur mirëkuptim.
Se shteti shqiptar nuk është shumë e interesuar për këtë çështje është edhe fakti të cilin e përmend deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, i cili tha në seancë se në Shqipëri këto ditë po mbahet një konferencë, ku është prezent edhe ITU-ja, por institucionet e Kosovës nuk janë ftuar.
Ai madje ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shkojnë edhe pa ftesë vetëm që të marrin pjesë dhe të bisedojnë me zyrtarët e ITU-së.
Ndërkohë, burime të Agjencisë Lajmeve Kosovapress bëjnë të ditur brenda Ministrisë Zhvillimit Ekonomik se ka pas konsulta për këtë çështje, por shteti shqiptar nuk ka shpreh gatishmëri që Kosova të ketë kodin telefonik +355.
“Kemi dërguar letër ministrit të Telekomunikacionit qysh moti, por nuk na ka kthyer kurrfarë përgjigje për këtë çështje. Nuk janë duke shprehur interesim as ata me bashkëpunuar me neve në lidhje me kodin telefonik”, ka thënë burimi.
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, në një prononcim për Kosovapress ka thënë se nuk duhet të paragjykohet në lidhje për këtë çështje pa pasur një hap të bisedimet mes dy qeverive.