Interneti ka thyer tabutë dhe kufinjtë në të gjithë botën përfshirë edhe Maqedoninë. Tashmë për të orientuar tregun nuk duhet të jesh domosdosshmërisht pjesë e një grupi të madh mediatik apo të investosh miliona euro, e as të jesh i detyruar t’u bësh favore pushtetarëve për të marrë liçenca. I këtillë është shembulli i shumë portaleve dhe faqeve të internetit në të gjithë botën, të cilët me numrin e madh të vizitave po i bëjnë ballë konkurencës së fortë me mediat tradicionale për të tërhequr sa më shumë vizitorë. Kjo situatë nuk është ndryshe edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni por ne në këtë shkrim, faqja e specializuar campaign.al do të trajtojë rastin e Maqedonisë, për t’ia lënë rradhën ditëve në vazhdim analizës për Kosovën dhe Shqipërinë.
Aktualisht në Ballkan nuk ekziston ndonjë kompani apo institucion i cili merret zyrtarisht me statistikat e mediave online. I vetmi burim asnjënës mbetet alexa.com, e cila njihet si faqja më e specializuar për matje të trafikut të websajteve, pasi në vazhdimësi ajo ka përditësuar mënyrën e përllogaritjes së trafikut dhe popullaritetit të webfaqeve, duke u bërë kështu edhe si referencë për kompanitë e marketingut, të cilat në të shumtën e rasteve, rënditjet e kësaj faqeje i konsiderojnë ndër më të saktat dhe i përdorin për shpërndarjen e reklamave nëpër portale.
Sipas kësaj faqeje, faqja më e vizituar në Maqedoni nuk i takon grupeve të mëdha mediatike, televizioneve apo medias së shtypur por është një portal profesional. Faqja e televizionit më të shikuar në Maqedoni, TV Alsat-M nuk rradhitet e para, por e dyta. Sipas kësaj faqeje, listën për faqet më të klikuara shqiptare në Maqedoni, e kryeson Portali Albeu.com me qendër në Tiranë, i cili është një portal i pavarur i themeluar në vitin 2003, dhe i cili edhe pse është i përqëndruar në Shqipëri dhe pjesën dërmuese të vizitorëve e ka nga ky shtet, falë përdorimit të avancuar të teknologjisë, operon njëkohësisht në tre versione, atë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, duke arritur të lokalizohet me sukses në këto trete shtete. Pas Portalit Albeu, rënditet portali informativ i Televizionit Alsat-M (alsat-m.tv) ndërsa i treti është portali i sukseshëm Telegrafi.com nga Prishtina.
I katërti në listë është portali i gazetës proqeveritare Zhurnal (zhurnal.mk) ndërsa pas saj faqja e Gazetës Koha (koha.mk). Faqja e televizionit Top Channel (top-channel.tv) rënditet i gjashti, ndërsa më pas rënditen portali i grupit mediatik Koha nga Kosova, Koha.net, Agjensia e Lajmeve Iliria (ina-online.net) dhe faqja më e vjetër e lajmeve në shqip Balkanweb.com me qendër në Tiranë.
I 11-ti në listë është portali opozitar Almakos.com i cili është themeluar këtë vit dhe në saje të vijës së “egër” editoriale ka arritur të futet fuqishëm në tregun e mediave online, duke u bërë para disa ditësh pjesë e grupit mediatik “ATV Media Company”, i cili ka në pronësi Gazetën shkupjane “Lajm” ndërsa para tij (i 10-ti) është Portalb.mk, një portal i hapur para një viti dhe i financuar nga Soros, por i cili edhe përkundër financimeve të mjaftueshme rrezikon të dështojë pasi nuk ka arritur të zëjë vend mes lexuesve të internetit në Maqedoni. Shqipmedia.com, një faqe e afërt me partinë opozitare PDSH rënditet e 12-ta, para yllpress.com, faqe gati inekzistente e një funksionari të BDI-së, e cila renditet e 13-ta. /campaign.al/
Në listën e mëposhtme po ju ofrojmë listën e plotë të faqeve më të vizituara shqiptare në Maqedoni:
1. Albeu.com
2. Alsat-m.tv
3. Telegrafi.com
4. Zhurnal.mk
5. Koha.mk
6. Top-Channel.tv
7. Koha.net
8. Ina-online.net
9. Balkanweb.com
10. Portalb.mk
11. Almakos.com
12. Shqipmedia.com
13. Yllpress.com