Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, gjatë konferencës “Integrimi i teknologjise së informacionit dhe komunikimit”, organizuar në Hotel Sheraton, se arsimi dixhital mbetet një nga përparësitë kryesore për qeverinë. Berisha theksoi se vetëm duke e vendosur ekonominë e këtij vendi mbi bazat e dijes do të mund të kapim kohën e humbur, dhe do të mund të qëndrojmë në horizontet e zhvillimit.
“Qeveria zgjodhi Shqipërinë dixhitale si një nga dy objektivat më madhore për t’u realizuar dhe për ta vendosur edukimin dixhital në hallkën më të rëndësishme të kësaj platforme. Ne vijmë më të vendosur se kurrë për shndërrimin e këtij vendi në një vend dixhital”, u shpreh Kryeministri Berisha.Ai u shpreh se qëllimi i këtij viti, mbetet pajisja e çdo klase me internet. “Këtë vit do të fillojmë internetin në çdo klasë, me qëllim që Shqipëria të shndërrohet dora-dorës në një superfuqi rajonale të softeve dhe produkteve të kësaj fushe”, deklaroi ai. Duke folur për arsimin universitar, Kreu i Qeverisë u shpreh se duhet bërë gjithçka që të aplikohen provimet dixhitale.
“Të bëjmë gjithçka për të shtrirë provimet dixhitale në shkollat tona të larta. Cilësia mbetet qëllimi ynë kryesor në arsim”, tha Berisha. Ai bëri të ditur se synimi i ardhshëm i qeverisë është të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale të softeve dhe produkteve të kësaj fushe.
“Këtë vit ne do të bëjmë një hap të madh, internet në çdo klasë. Qëllimi është të ndezim një garë në të gjithë sistemin arsimor në këtë fushë që Shqipëria të shndërrohet në një superfuqi të vogël rajonale edhe të softeve dhe produkteve të kësaj fushe. Zoti ministër, kërkoj të shtrihet lënda e programimit në afatet më të hershme që kërkon në ndonjë vend. Të përcaktojmë një seri stimujsh konkretë për të shpërblyer programet dhe softet e nxënësve dhe studentëve”, theksoi Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të kalojë tek ajo që ai e quajti si “i Qytetari”.
Kreu i qeverisë tha se duhet të bëjmë gjithçka për të krijuar stimuj konkretë për sipërmarrjen e inovacionit, e cila është në tërësinë e saj atribut i moshës së shkollarëve dhe passhkollarëve, ndërsa shtoi se duhet të ridimensionojmë aftësitë programuese të nxënës.
Nuk ka komente:
Posto një koment